فَلَمَّا فَصَلَ طَالُوتُ بِالْجُنُودِ قَالَ إِنَّ اللَّهَ مُبْتَلِيكُمْ بِنَهَرٍ فَمَنْ شَرِبَ مِنْهُ فَلَيْسَ مِنِّي وَمَنْ لَمْ يَطْعَمْهُ فَإِنَّهُ مِنِّي إِلَّا مَنِ اغْتَرَفَ غُرْفَةً بِيَدِهِ ۚ فَشَرِبُوا مِنْهُ إِلَّا قَلِيلًا مِنْهُمْ ۚ فَلَمَّا جَاوَزَهُ هُوَ وَالَّذِينَ آمَنُوا مَعَهُ قَالُوا لَا طَاقَةَ لَنَا الْيَوْمَ بِجَالُوتَ وَجُنُودِهِ ۚ قَالَ الَّذِينَ يَظُنُّونَ أَنَّهُمْ مُلَاقُو اللَّهِ كَمْ مِنْ فِئَةٍ قَلِيلَةٍ غَلَبَتْ فِئَةً كَثِيرَةً بِإِذْنِ اللَّهِ ۗ وَاللَّهُ مَعَ الصَّابِرِينَ
Sherif Ahmeti
E kur doli (prej qytetit) Taluti me ushtrinë, tha: “All-llahu do t’ju sprovojë me një lumë, e ai që pi prej atij, ai nuk është me mua, e kush nuk shijon atë, ai është me mua, përveç atij që me dorën e vet e pi një grusht?” Mirëpo, me përjashtim të një pakice prej tyre, të tjerët pinë nga ai. E kur e kaloi ai (taluti) atë së bashku me te edhe ata që ishin besimtarë thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij!” Po ata që ishin të bindur se do ta takonin All-llahun thanë: “Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e All-llahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha!” All-llahu është me durimtarët.
Feti Mehdiu
Dhe kur doli Taluti me ushtrinë tha: “All-llahu pa dyshim do t’iu vejë në sprovë me një lum, kush pi prej atij, nuk është me mua, e kush nuk e shijon atë është me mua, me përjashtim të atij që merr me grushtin e vet”. Dhe ata përveç një pakice sish pinë prej atij. Por kur e kaloi atë, ai edhe ata të cilët besuan me të, thanë: “Ne sot nuk mundemi t’i dalim në krye me Xhalutin dhe ushtrinë e tij”! Ata, të cilët mendonin se gjithsesi do të dalin para All-llahut, thanë: Po sa herë grupe të vogla, me vullnetin e All-llahut i kanë mundur grupet më të mëdha”. Dhe All-llahu është me durimtarët.
Efendi Nahi
Kur Taluti bashkë me ushtrinë u nis për luftë, u tha atyre: “Perëndia do t’ju provojë ju me një lum, ai që do të pijë ujë në të, nuk është ushtar i imi, e ai që nuk pi ujë në të, përpos një grusht ujë, është imi”. Ndërsa, ata, të gjithë pinë, përveç një pakice. E, pasi kaluan lumin ai me besimtarët e tij, (pakica) i thanë njëri-tjetrit: “Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij”. Por, ata që ishin të bindur, (një pjesë nga ajo pakicë), se do të takohen me Perëndinë, thanë: “Ah! Sa herë, me ndihmën e Perëndisë, ushtria e vogël ka ngadhnjyer mbi ushtrinë e madhe!” Se, Perëndia është me durimtarët.